“Shpëtoni ushtarin e mirë SPAK”
- Habemus

- May 20
- 3 min read
Updated: May 22

•Misioni i fundit: të mos vdesim si Republikë
Në kulmin e filmit Saving Private Ryan, një skenë rrënqethëse e vulos fatin moral të historisë: kapiteni Miller, i plagosur për vdekje, i pëshpërit fjalët e fundit ushtarit që kishte ardhur për ta shpëtuar: “Earn this.” Fitoje këtë rast. Jepi kuptim asaj që kemi bërë për ty. Jepi kuptim jetës sonë. Sakrificës sonë. Gjakut tonë.
Kjo është pikërisht thirrja që sot vjen nga gjaku institucional i Shqipërisë — nga SPAK. I vetëm në një fushëbetejë të minuar nga korrupsioni, hakmarrja politike dhe indiferenca e një shoqërie të lodhur. I vetëm, dhe në shënjestër.
Pas zgjedhjeve të 11 majit, realiteti politik në Shqipëri ka hyrë në një fazë të re. Në dukje e qetë, por në të vërtetë më kërcënuese se kurrë për institucionet e pakta që nuk janë vënë ende në rresht. Pushteti i Partisë Socialiste dhe Edi Ramës u betonua me 83 mandate. Më shumë se një shumicë — është një superarmë. Dhe në këtë sfond, SPAK është objektivi i parë.
Jo përmes shpërbërjes së hapur, sepse koha e dhunës vulgare ka kaluar. Por përmes kontrollit të heshtur, të sistemuar, të padukshëm: diku një emër i komanduar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë; diku tjetër një rrugë e devijuar për emërimin e drejtuesve të rinj; e kështu merr udhë një proces i ngadaltë, por i qendrueshëm neutralizimi. Nuk thuhet më “ta shpërbëjmë SPAK-un,” mjafton ta kthejmë në pjesë të sistemit. Të asaj rutine që gëlltit gjithçka.
Nga ana tjetër, Berisha i jep tjetër trajtë luftës: publike, personale, agresive. E ka shpallur SPAK-un “strukturë kriminale”, “grupim politik të PS”, prokurorët “mercenarë”, dhe aktet e drejtësisë “puç kushtetues”. Në të vërtetë, nuk është vetëm mbrojtja ndaj dosjes së vet. Është frika nga shembja e një mitologjie të tërë: ajo e të qenit, gjithmonë më lart se ligji.
Kështu, SPAK ndodhet tashmë në mes të dy zjarreve. Dhe pikërisht si në filmin që e frymëzon këtë metaforë, ajo që është në rrezik nuk është thjesht një institucion — por kuptimi i vetë sakrificës dhe shpresës për ndërtimin e një shteti. Nëse SPAK bie, Republika pushon së qeni.
Mos u gaboni: nuk është një institucion perfekt. Ka pasur dosje që kanë ngecur, akte që kanë zhgënjyer, hetime që duhen përshpejtuar. Por është i vetmi instrument që ka guxuar të shkojë atje ku askush nuk shkoi më parë: të arrestojë ministra, të thërrasë kryebashkiakë, të trazojë themelet e pandëshkueshmërisë që ka kalbur çdo qelizë të sistemit.
Dhe është pikërisht për këtë arsye që është në shënjestër.
E kemi parë dhe përjetuar këtë film të gjallë më parë. Me institucione që lindin me shpresë, por mbyten në zyrat e partive. Me reforma që nisin me entuziazëm dhe përfundojnë në harresë. Me heronj që lihen vetëm, derisa shndërrohen në viktima.
Por këtë herë nuk duhet të ndodhë. Këtë herë, duhet të jemi ne ata që bëjmë një hap përpara. Të shpëtojmë SPAK!
Sepse nuk kemi më justifikime. Tani e dimë çfarë do të ndodhë. E kemi parë skenarin. E dimë se pasurimi pa drejtësi është plaçkitje. Se vota pa drejtësi është farsë. Se pa një strukturë të pavarur që vendos vijën e kuqe ndaj korrupsionit, çdo reformë tjetër është teatër.
“Earn this”, i tha kapiteni Miller ushtarit që shpëtoi.
“Fitoje këtë rast. Bëje të vlefshëm.”
Tani, është radha jonë.
Të fitojmë këtë shans.
Të shpëtojmë këtë institucion.
Të mos lejojmë që e vetmja dritë në fund të tunelit të shuhet nga heshtja jonë.
Sepse, nëse nuk e mbrojmë SPAK-un sot … dhe nesër, do të mbetemi një komb pa drejtësi dhe pa shpresë.
P.S.: referenca e përdorur si "është radha jonë" nuk ka lidhje me PD. I referohet vetëm shqiptarëve që e kanë mbështetur SPAK edhe kur binomi PS&PD e sulmonin atë!


Comments