top of page

Bjerrja morale e opozitës

  • Writer: Habemus
    Habemus
  • May 27
  • 3 min read

Një nga pasazhet më domethënëse të librit “Si vdesin demokracitë” nga Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, është ky:

“Kur partitë tradicionale vendosin të bashkëpunojnë me demagogë autoritarë për të fituar përfitime të përkohshme politike, ato rrallëherë i kontrollojnë ata – zakonisht, janë të përthithura prej tyre. Në këtë proces, opozita humbet identitetin moral që e mban sistemin demokratik të shëndetshëm.”

Ky pasazh i referohet qartë bjerrjes morale të opozitës. Jo se dua të them se është faktori i vetëm. Faktorët kryesorë janë ata që lidhen me pushtetin. Por vdekja e demokracisë është në thelb kontribut i përbashkët. “Colpo di grazia”-n e jep opozita.

Pasazhi i mësipërm flet për momentin kur partitë opozitare, në vend që të qëndrojnë të palëkundura në mbrojtje të normave demokratike, zgjedhin të bëjnë aleanca me forca autoritare ose të mbyllin sytë ndaj sjelljeve të rrezikshme të tyre – me justifikimin se “armiku i armikut tim është miku im”. Në këtë lëvizje të pashpirt taktike, ato jo vetëm që nuk arrijnë ta ndalin rënien e sistemit, por bëhen bashkëfajtore.

Ky është pikërisht thelbi i bjerrjes morale: kur partia nuk është më roje e parimeve, por një aktore që llogarit vetëm leverdinë afatshkurtër, duke braktisur përgjegjësinë historike për të ruajtur standardin demokratik.

Në demokracitë e brishta, pra, opozita nuk është thjesht një pol tjetër politik. Ajo është gjysma e frymëmarrjes së sistemit, një zë që duhet të sfidojë, të propozojë, të kontrollojë – pavarësisht numrave që ka në Kuvend. Por çfarë ndodh kur ky zë zë vend në heshtje? Kur ai nuk është më një thirrje, por një jehonë e zbehtë e pushtetit që supozohet të sfidojë?

Bjerrja morale e një partie opozitare nuk ndodh brenda natës. Ajo është një proces i ngadaltë, thuajse i padukshëm, ku në vend të një ideali lind një rutinë; në vend të një përballjeje lind një marrëveshje; në vend të një shprese, një pazar i heshtur.

Një parti opozitare që nuk përballet me të keqen, por e përdor atë për të justifikuar ekzistencën e vet, nuk është më opozitë – është bashkëfajtore. Ajo nuk lufton për të ndërtuar një vend më të drejtë, por për të ruajtur privilegjet e saj të brendshme në një sistem që e ka pranuar si lojtar dekorativ. Marrëveshjet për sistemin zgjedhor, heshtja ndaj abuzimeve të mazhorancës apo pjesëmarrja në vendime që konsolidojnë pushtetin e qeverisë janë aktet e para të kësaj bjerrjeje.

Kur partia nuk është më një komunitet idesh, por një bunker i një njeriu të vetëm, bjerrja morale është e pashmangshme. Kulti i liderit vjen gjithnjë përpara interesit të elektoratit, përpara të vërtetës, përpara së nesërmes. Dhe më tragjikja është se një parti që e quan veten opozitë, por që nuk ka guximin as të thotë diçka ndryshe nga lideri që e ka kthyer në pronë personale, ka hequr dorë nga çdo pretendim për integritet moral.

Bjerrja morale është edhe më e rëndë kur kuptohet se ajo opozitë nuk dëshiron të fitojë. Ajo mjaftohet me rolin e “kundërshtarit zyrtar”, me karrigen e deputetit dhe me imunitetin që ajo karrige jep. Një opozitë që nuk investon në alternativa, që nuk guxon të marrë rrezik – është një opozitë që e ka pranuar humbjen si status quo.

Korrupsioni moral i një opozite manifestohet më fort në përdorimin cinik të kauzave të mëdha: drejtësia, demokracia, anti-korrupsioni. Ato përdoren jo për t’u zbatuar, por për t’u shantazhuar, për t’u relativizuar dhe për të mbuluar heshtjen ndaj mëkateve të brendshme. Një opozitë që bën thirrje për drejtësi, por e mbron liderin e saj nga drejtësia, nuk është më morale – është farsë.

Bjerrja morale e një partie matet edhe në mënyrën se si i flet qytetarit – gjithnjë nëse i flet. Një opozitë që nuk dëgjon më, që nuk konsulton më, që nuk reflekton më mbi dështimet, nuk është opozitë. Është një strukturë e vdekur që jeton me oksigjenin e medias dhe me makinerinë e manipulimit të së shkuarës.

Një opozitë është e bjerrë moralisht kur nuk kërkon të transformojë sistemin, por thjesht të presë radhën për pushtet. Ky është ndoshta momenti më i errët i bjerrjes morale: kur një parti opozitare nuk e sheh pushtetin si një mundësi për të ndryshuar rregullat e lojës, por si një rast për të qeverisur me po ato rregulla. Në atë moment, rotacioni politik nuk ka më vlerë. Sepse, thjesht, është ndërruar drejtuesi, jo drejtimi.

Një vend ku demokracia ka vdekur, nuk ka nevojë për opozitë që rri në parlament për të plotësuar protokollin. Ka nevojë për opozitë që ngrihet në këmbë për të ndërtuar një republikë me moral. Dhe për ta ndërtuar këtë, duhet së pari të pranojë se opozita e ndjerë ka humbur jo vetëm zgjedhjet, por edhe shpirtin. Dhe pastaj, me kurajë, të fillojë nga e para.

P.S.: Kjo është një ese socio-politike. Çdo ngjashmëri me personazhe reale, të gjallë a të vdekur, është thjesht rastësi. Aq më pak në Shqipërinë e vitit 2025.

ree

 
 
 

Comments


Na kontaktoni

  • Instagram
  • Facebook

Donate Now

Thank you for your donation!

© 2035 by Turning Heads. Powered and secured by Wix

bottom of page