Statuti që rrëzon Berishën, heshtja që fundos PD-në
- Habemus

- Jun 6
- 5 min read
Updated: Jun 10
Pas zgjedhjeve të 11 majit, rezultati dhe mënyra si u zhvillua procesi kanë krijuar një gjendje shokuese në përgjithësi. Mbizotëron një heshtje e plotë mbi thelbin e asaj që ndodhi. Sjellja e aktorëve kryesorë e pasqyron këtë realitet: askush nuk po merret me thelbin e problemit.
Partia Socialiste dhe Edi Rama janë zhytur në një qetësi që ngjan me vetëkënaqësi dhe cinizëm – rezultat i imponuar nga dominimi i thellë: 83 mandate për PS dhe 3 mandate të marra nga sateliti i saj PSD, që në total i japin një superfuqi prej 86 mandatesh (mbi 60%). Kjo qetësi nuk është reflektim, por përgatitje për të ushtruar pa pengesë një pushtet absolut.
Nga ana tjetër, edhe Sali Berisha dhe enturazhi i tij i ngushtë, janë në thelb, të kënaqur me rezultatin. Aq kishin synuar – zgjedhje të shitura paraprakisht në tavolinë por një grusht deputetësh besnikë – dhe tani po përpiqen që, me një retorikë të vjetruar për “mosnjohjen e zgjedhjeve”, të fitojnë kohë me kauza të rreme. Problemi i vetëm i Berishës është se tashmë, me rreth 42 mandate, ai nuk ka më asnjë mundësi, qoftë edhe teorike, për të penguar Ramën në çdo vendimmarrje për ligje apo emërime në institucionet e pavarura. Ky fakt e bën Berishën politikisht të padobishëm për Ramën.
Partitë e reja që morën 4 mandate nuk dinë nëse duhet të shpallin fitore apo të shprehin hidhërim. Në total morën mbi 170 mijë vota – jo pak – por këto vota u përkthyen në një përfaqësim minimal, pothuajse pa zë.
Të humburit e mëdhenj janë qytetarët shqiptarë. Më të zhgënjyerit, padyshim, janë demokratët: për herë të katërt në opozitë, në një humbje edhe më të thellë dhe me shpresë thuajse zero se ndonjëherë mund të mundin Ramën dhe të vijnë në pushtet.
Në këtë atmosferë, i vetmi “lajm” që qarkullon – disi spontan, disi i ushqyer nga mediat proqeveritare – është: A duhet të largohet Berisha? A është ende ai kryetari legjitim i PD? A ka ndonjë zë të guximshëm brenda PD që mund ta sfidojë? Apo do të vijojë letargjia, mungesa e reflektimit dhe tretja e ngadaltë e pamëshirshme e PD?
Nuk është fjala për të projektuar të gjithë fajin vetëm te PD ose vetëm te Berisha. Por është e padiskutueshme që një nga shkaqet kryesore të kësaj situate është sjellja politike e Berishës. Le të jemi të qartë: shkaku më i madh është se në Shqipëri nuk zhvillohet një proces zgjedhor i drejtë, i barabartë dhe i lirë. Rama përdori administratën, e shfrytëzoi diasporën në mënyrë të kontrolluar, përfitoi nga avantazhi i pushtetit, përdori buxhetin, bandat kriminale dhe “ushtrinë” e patronazhistëve. Këtë gjë Berisha e dinte kur shkroi rregullat e statutit. E dinte kur bëri marrëveshje me Ramën për Kodin Zgjedhor. E dinte kur hyri ne zgjedhje! Ndaj s’ka justifikim.
Thënë kjo, për ata që ankohen, rruga e vetme për të ndryshuar situatën është të nisin me atë që është e mundshme, pastaj të kalojnë tek ajo që është e domosdoshme. E mundshmja është të shohësh nga vetja. Të ndryshosh, të reflektosh, të reformosh veten. Ky është një proces që Rama nuk mund ta ndalojë, nuk mund ta vonojë, as të ndërhyjë në të. Është plotësisht në dorën tënde. Nëse ndodh kjo, atëherë kalon në fazën tjetër: të bësh atë që duhet – të mundësh Ramën. Dhe kjo nënkupton kërkimin e eleminimit të të gjitha avantazheve që pushteti i jep atij, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë më të barabarta. Kaq e thjeshtë është.
Nëse kjo është e logjikshme, atëherë është koha të fillohet nga një rregull shumë i qartë që vetë PD e ka miratuar: neni 48, pika 8 e Statutit të PD-së, sipas të cilit:
“Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.”
Kjo dispozitë është më se e qartë. Ajo kërkon vetëm që:
1. Të jenë zhvilluar zgjedhje të përgjithshme për Kuvendin;
2. Të jetë shpallur rezultati zyrtar i zgjedhjeve;
3. Partia të mos ketë rezultuar si forcë fituese qeverisëse.
Pasojat janë të qarta:
1. Mandati i kryetarit përfundon menjëherë;
2. Kryetarit nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie.
Hipotezat dhe pasojat janë objektive, të kuptueshme dhe nuk lejojnë asnjë subjektivizëm apo interpretim.
Në situatën aktuale, zgjedhjet janë zhvilluar dhe rezultati është shpallur nga KQZ – institucioni i vetëm i autorizuar për këtë. PD nuk ka dalë forcë qeverisëse, as e vetme dhe as në ndonjë koalicion. E vetmja mënyrë që PD të konsiderohej si e tillë, do të ishte që të bënte koalicion qeveritar me Ramën – një skenar i papranueshëm, të paktën për momentin.
Kështu, që nga dita e shpalljes së rezultatit, posti i kryetarit të PD është vakant. Sali Berisha nuk është më kryetar. Automatikisht, të gjitha kompetencat dhe delegimet e tij kanë përfunduar. PD duhet të organizojë zgjedhje për kryetarin e ri, ku çdo anëtar ka të drejtë të kandidojë – përveç njërit: Sali Berisha.
Çdokush që ka ndjekur zhvillimet e PD-së e kupton qartë se Berisha nuk ka ndërmend të zbatojë këtë rregull statutor – rregull që për PD-në ka vlerë ligjore. Madje, ka vlerë ligjore edhe për institucionet shtetërore. Por asnjë nga rrethi i ngushtë i deputetëve apo funksionarëve të PD-së nuk ka shfaqur guximin civil apo intelektual për të kërkuar respektimin e këtij rregulli.
Gjithsesi, partia nuk është vetëm një grusht njerëzish në krye. Ajo është anëtarësia. Dhe çdo anëtar, madje edhe vetëm një, ka të drejtën ligjore të paraqesë në Gjykatën e Tiranës një kërkesë për të pasqyruar në regjistrin e partive politike faktin se posti i kryetarit të PD është vakant. Jo vetëm për korrektesë ligjore, por për të mbrojtur PD nga situata të rrezikshme ku një individ, që nuk ka më të drejtë përfaqësimi, kryen veprime politike ose juridike në emër të partisë.
Sipas ligjit për partitë politike dhe Statutit të PD-së, kryetari është përfaqësuesi ligjor i partisë. Kërkesa në KQZ, në gjykata, në Thesar – nuk mund të bëhen nga Sali Berisha, sepse ai nuk është më kryetar, por vetëm një anëtar i thjeshtë i partisë.
Në këtë kontekst, është mëse e pritshme që një anëtar i PD-së, qoftë edhe me njohuri minimale të ligjit dhe statutit, të kërkojë në gjykatë pasqyrimin e kësaj vakance. Por pa pritur këtë hap, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Zgjedhore është i detyruar të nisë menjëherë përgatitjen për zgjedhjet për kryetar të ri të PD. Ai është organ autonom për këtë detyrë.
Në ndërkohë, drejtimin e partisë e merr nënkryetari më i vjetër në moshë – me shumë gjasë Luciano Boçi.
Ka një mënyrë të thjeshtë për të nisur rigjenerimin e një partie politike: një akt teknik, por me rëndësi politike madhore. Ajo që nevojitet është guximi politik dhe intelektual për të kaluar përtej teknikës. Tani është koha për çdo anëtar të PD-së të tregojë nëse ka vullnet për ndryshim.
Dhe një gjë e fundit: do të ishte përtej sarkazmës që kjo situatë të degjeneronte sërish në një farsë të ngjashme me “sagën e vulës”. Aq më tepër kur “sozitë” e Agron Zhukrit nuk mungojnë në Gjykatën e Tiranës.
Të presim. Por jo pafundësisht.
Sepse deri atëherë, Edi Rama mund të ketë përgatitur tashmë strategjinë e radhës: goditjen e radhës kundër demokracisë, Kushtetutës dhe shtetit. Dhe për këtë duhet ndonjë atje brenda PD të mendojë që tani. Qoftë edhe për të përgenjështruar të shumtit që thonë se ajo parti ka vdekur klinikisht!






Comments