“SY M’SY” ME VETEN: PUSHTETI QË NUK I FLET MË ASKUJT
- Habemus

- Jun 10
- 4 min read
Një muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, Edi Rama është rikthyer publikisht në rubrikën e tij në rrjetet sociale, “Sy m’sy”. Me një ton të ngadaltë, të qetë, ndoshta tepër të përmbajtur – deri në bezdisje – ai u shfaq jo më si një lider në garë, por si njeriu i përmbushur. Si fitimtari që, me 86 mandate në xhep, nuk ka më nevojë të bindë askënd.
Nuk është më thjesht një komunikim. Është një skenë e pushtetit që nuk kërkon më legjitimitet, por vetëm vëmendje. Dhe ndoshta edhe adhurim. Pushteti, në këtë pikë, nuk lufton – ai thjesht performon. Dhe kur performon, nuk thotë shumë, por thjesht shfaqet: i sigurt, i vetëm dhe i padiskutueshëm.
Nga sporti tek estetika e pushtetit: një spektakël që zhurmon boshllëkun
Në vend që të ofrojë një vizion serioz për katër vitet e ardhshme – një plan për ekonominë, për drejtësinë, për shpresën – Rama zgjodhi të flasë për Lamine Yamal dhe paddel. Për palestra, pishina, muze të rinj. Një estetikë e përzgjedhur me kujdes, që synon të impresionojë, të japë ndjesinë e përparimit, por që nuk prek asnjë nga plagët reale të vendit.
Në këtë mesazh nuk munguan as thumbat ndaj kritikëve, as ironia ndaj komenteve qytetare. Por mbi të gjitha, mungoi përmbajtja. Sepse pas atyre fjalëve të buta, qëllimisht të qeta, fshihet një heshtje e zhurmshme për gjithçka që prek jetën e përditshme të shqiptarëve: ekonomia që ngec, korrupsioni që gërryen si krimb, largimi masiv i të rinjve, humbja e shpresës, dhe një opozitë institucionale që është zhdukur si një fotografi e vjetër në ujë.
Pushteti që nuk pyet më – vetëm njofton
Kjo nuk është më një qeveri që dialogon. Është një qeveri që flet. Dhe kur flet, nuk kërkon mirëkuptim – kërkon nënshtrim. Arroganca nuk është më incidentale, është bërë stil. Dhe ky stil është i një lideri që nuk sheh më përballë askënd: as në parlament, as në media, as në rrugë. Është fusha bosh, me një lojtar të vetëm në të.
Superpushteti që kalon përmes heshtjes
Fitorja e shumicës së cilësuar nga Partia Socialiste është një nga momentet më të rënda në tri dekadat e demokracisë shqiptare. Ndarja e pushteteve, aq shumë e përfolur, është kthyer në një dekor që nuk funksionon më. Me 86 mandate, Edi Rama kontrollon gjithçka: reformën zgjedhore, sistemin e drejtësisë, ndryshimet kushtetuese, e në fund – të ardhmen politike të vendit.
Dhe ajo që e bën këtë situatë edhe më dramatike është heshtja. Një heshtje e thellë, shurdhuese, që vjen nga një publik i lodhur dhe një komunitet ndërkombëtar që duket sikur është pajtuar me gjithçka. SHBA, dikur zëri më i fuqishëm për demokracinë në Shqipëri, sot qëndron në heshtje. Dhe në këtë vend, kjo heshtje është zhurma më e madhe e kohës sonë.
Dorëzimi kolektiv ndaj një normaliteti të deformuar
Por më alarmante se pushteti, është dorëzimi i shoqërisë. Është mënyra si media merret me ndasitë e pafundme në PD dhe me gjyqet e pafundme të Berishës, ndërsa i largohet thelbit të vërtetë të ngjarjes: Shqipëria ka hyrë në një fazë të re autoritarizmi. Më i qetë, më i sofistikuar, më i veshur me fjalë të bukura dhe projekte estetike. Por po aq i rrezikshëm.
Opozita nuk mungon vetëm në numra. Mungon në mendim. Nuk ka një ide të qartë, një projekt, një strategji që të vendosë pushtetin përballë pasqyrës. Ka vetëm zhurmë. Dhe zhurma nuk mjafton. Ndërsa SPAK-u, dikur simbol i shpresës për drejtësi, duket se po futet në ritmin e një sistemi që e zbut, e përthith dhe në fund e neutralizon.
Përballë kësaj situate, një pozicion serioz opozicioni nuk mund të jetë më thjesht një kundërpërgjigje ndaj batutave të kryeministrit apo një koment ndaj ndonjë gafë të radhës nga PD. Duhet një vizion. Duhet një projekt. Duhet një aksion. Dhe ky aksion duhet të ndërtohet mbi këto pesë teza themelore:
1. Pushteti i pakontrolluar është rrezik për demokracinë. 86 mandate nuk janë fitore për qytetarët – janë humbje për pluralizmin. Çdo ndryshim kushtetues apo institucional nga një pushtet i vetëm duhet trajtuar me dyshim dhe me vigjilencë.
2. Qeverisja e spektaklit nuk është zhvillim. Kur fokusi zhvendoset nga ekonomia dhe drejtësia te paddel-i, muzeu, dhe aktivitetet e rekreacionit urban, nuk kemi përmirësim – kemi propagandë. Një vend ku qytetarët largohen me mijëra, nuk ka nevojë për më shumë shkëlqim në qendër, por më shumë shpresë në çdo cep.
3. Urbanizmi i flluskës ekonomike të zezë si maskë e shkatërrimit social. Tirana dhe Shqipëria po mbytet në beton dhe para të zezë. Dhe bashkë me ajrin, po i merret fryma një modeli social që përjashton të rinjtë, të papunët, ata që nuk kanë lidhje me elitën. Urbanizimi është kthyer në një formë të re të përjashtimit dhe shtypjes.
4. Opozita nuk është një parti. Është një ndërgjegje. Në mungesë të një opozite parlamentare, qytetaria, media, intelektualët, shoqëria civile duhet të ngrihen jo për të pritur zgjedhjet, por për të ndërtuar që tani një front të ri mendimi dhe veprimi.
5. Drejtësia (SPAK) nuk duhet të mbetet i vetëm. Nëse lufta kundër korrupsionit braktiset nga qytetarët, ajo nuk do të përfundojë me drejtësi – por me kompromise. Presioni publik për drejtësi duhet të bëhet më i fortë se kurrë. Heshtja është aleati më i besueshëm i korrupsionit.
Heshtja është një zgjedhje. Por është zgjedhja e gabuar.
Në përfundim, dalja “sy më sy” e Edi Ramës ishte më shumë një “monolog nën zë” se sa një raport për popullin. Por pavarësisht stilit të butë, përmbajtja e saj është paralajmërim për një katërvjeçar ku pushteti do flasë gjithmonë e më shumë vetëm me veten. Dhe është përgjegjësi e atyre që nuk janë në pushtet të mos bëhen spektatorë të një shteti që e kanë marrë peng. Heshtja është zgjedhje. Por është zgjedhja që gjithmonë e kanë bërë humbësit.






Comments