top of page

RAMA & BERISHA: BINJAKËT POLITIKË TË FRIKËS NGA DREJTËSIA

  • Writer: Habemus
    Habemus
  • Jun 12
  • 6 min read

Nga çdo këndvështrim – juridik, politik apo moral – statusi i fundit i Edi Ramës në rrjetin social X nuk është thjesht një koment për pagat e gjyqtarëve. Ai përfaqëson një akt të drejtpërdrejtë presioni politik ndaj një institucioni kushtetues. E bëri këtë në një moment kritik për drejtësinë dhe pavarësinë e saj reale në Shqipëri, sidomos tani pas sigurimit të një shumice të pakontestueshme prej 86 mandatesh. Por ndryshe nga sa mund të mendohet, Rama nuk është i vetëm në këtë sulm. Edhe Sali Berisha, nga ekstremi tjetër i spektrit politik, shfaqet në të njëjtën linjë përçmimi dhe delegjitimimi të pushtetit gjyqësor, si Edi Rama. Bash në mes të luftës “imagjinare” që Berisha po bën me Ramën, gjeti kohën për “armëpushim” dhe të bashkohej me Ramën në një front. Ky mesa duket është një moment sinqeriteti i politikës së korruptuar shqiptare, që me shumë gjasë do të pasohet edhe nga të tjerë në vazhdim.

 

Çështja juridike: e drejta për trajtim të barabartë

 

Në thelb, kërkesa e Unionit të Gjyqtarëve nuk është që ata “t’i caktojnë vetes pagat”, siç e paraqet me ironi Rama, por që të trajtohen njësoj si çdo funksionar tjetër i lartë i shtetit. Në vitin 2023 u rritën pagat për administratën e lartë dhe për deputetët. Dhe kujtohuni pak: ishte një bashkim forcash i deputetëve të Ramës dhe Berishës, sepse duheshin më shumë se 84 vota. Edhe në atë kohë, Rama dhe Berisha “ishin në luftë me njëri-tjetrin”. Por patën kujdesin që t’i rrisnin pagat vetes, por gjyqtarët t’i linin jashtë kësaj rritjeje. Në minimum, ajo çka ndodhi në 2023 ishte një trajtim i pabarabartë – një shkelje e qartë e parimit të barazisë përpara ligjit.

 

Për më tepër, mungesa e trajtimit të drejtë financiar për gjyqësorin cenon pavarësinë e tij funksionale dhe institucionale, të garantuar nga neni 145 i Kushtetutës dhe nga standardet ndërkombëtare të Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Europës. Në këtë kuptim, kërkesa për ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese është legjitime dhe në përputhje me rolin e saj si kontrolluese e kushtetutshmërisë – jo si uzurpim i kompetencave të qeverisë. Nuk dihet nëse do jenë të suksesshëm në këtë kërkesë, porse sulmi publik frontal i Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe mbështetja në kohë reale e Berishës tashmë ka zhbalancuar pozicionet etike. Nëse politika pozitë-opozitë është kundër gjyqësorit, me shumë gjasë, e drejta është me gjyqësorin dhe i rrezikuari më i madh është publiku. Gjyqësori vërtet nuk është pa mëkate. Ka shumë zvarritje. Edhe korrupsion. Por tulla e fundit e një sistemi që kemi zgjedhur, si më të mirin për ne (publikun), pra demokracia dhe shteti i së drejtës, kapitullon pa kushte kur drejtësia i nënshtrohet politikës.

 

Çështja politike: një kryeministër me 86 mandate që nuk pranon kufij

 

Edi Rama, me një shumicë të cilësuar prej 86 mandatesh, e ka të gjithë fuqinë për të ndryshuar ligje të rëndësishme, përfshirë ligjin për pagat dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Por përtej instrumenteve legjislative, që i ka në mënyrë të pakufizuar tashmë, ai zgjedh të flasë si shefi suprem i shtetit, me një gjuhë tallëse dhe përçmuese, duke i paraqitur gjyqtarët si të babëzitur dhe të privilegjuar. E njëjta gjuhë që përdorte dikur, në vitet 2015–2016, sa pa u bërë Reforma në Drejtësi. A thua nuk është bërë kjo Reformë? A thua ka qenë e gjitha një tallje? Apo tashmë ky është i vërteti, që kërkon të nënshtrojë edhe publikisht të vetmen pengesë që mund të ketë – drejtësinë, në këtë rast Gjykatën Kushtetuese?

 

Kur një kryeministër përdor rrjetet sociale jo për të sqaruar një qëndrim politik, por për të nënkuptuar sanksione morale dhe politike ndaj një gjykate që ende nuk ka vendosur, ai i shndërron fjalët në presion të drejtpërdrejtë institucional. Kjo është çështja.

 

Sulmi i dyfishtë: kur edhe Berisha i bie me të njëjtin çekiç drejtësisë

 

Ironikisht, edhe Sali Berisha është në të njëjtën linjë me Ramën. Ai është shprehur se: “Nuk ka gjë më absurde, vetëm sa u ka rritur oreksi. Nëse ju gjeni një qytetar që thotë se po më ecën procesi gjyqësor pa ryshfet, urdhëroni, por sot ju garantoj se ryshfeti ka marrë përmasat më gjigande në historinë e tij.”

 

Askush nuk mohon se ka korrupsion, zvarritje apo edhe politizim në gjyqësor.

 

Por ky nuk është një denoncim kundër rasteve konkrete të korrupsionit – por një damkosje kolektive e sistemit të drejtësisë, një diskreditim i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve si të korruptuar pa dallim. Në këtë mënyrë, edhe Berisha – ashtu si Rama – nuk kërkon drejtësi më të mirë, por një drejtësi të nënshtruar, që ose hesht, ose i shërben interesave të tij.

 

Në fund të ditës, e duket qartë tashmë, të dy – Rama dhe Berisha – e kanë të përbashkët frikën nga një drejtësi e pavarur, të cilën nuk mund ta kontrollojnë.

 

Çështja kushtetuese dhe morale: a guxon Gjykata Kushtetuese të qëndrojë?

 

Gjykata Kushtetuese ndodhet sot përballë një prove historike: të tregojë nëse është gardiane e vërtetë e Kushtetutës, apo një zgjatim formal i një pushteti dominues që nuk toleron kufizime.

 

Nëse e sheh këtë çështje përmes filtrit të opinionit publik të formatuar nga propaganda, nëse ndikohet nga debati politik që e trajton drejtësinë si kosto buxhetore apo si burim ryshfeti, atëherë Gjykata ka humbur misionin e saj.

 

Por nëse e shqyrton këtë kërkesë si një çështje të thellë kushtetuese, e mbi të gjitha si një çështje të sistemit politik – që prek themelet e ndarjes së pushteteve, të barazisë para ligjit dhe të mbrojtjes së gjyqtarëve nga presioni i pushtetit – atëherë ka mundësi të kryejë rolin e saj. Madje është pozitiv fakti që u sulmua nga të dy: Rama dhe Berisha. Gjyqtarët aty shpesh janë etiketuar ca të Ramës e ca të Berishës, në varësi të vendimeve që kanë marrë dhe pozicionit që ka pasur Rama ose Berisha për çështjet konkrete. Tashmë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese e kanë një mundësi të konsiderohen as të Ramës e as të Berishës – ashtu siç duhet të jetë në fakt një gjykatë jashtë ndikimit politik dhe kontrolluese e këtij sistemi. Përndryshe meritojnë të quhen si varrmihës të Kushtetutës. Do jetë ky, në jetë të jetëve, epitafi i tyre profesional dhe moral.

 

Gjykata nuk është aty për të qenë popullore, por konstitucionale. Dhe ndonjëherë, të qëndrosh i vetëm përballë një shumice vërtet të frikshme, është detyrimi më fisnik i një institucioni kushtetues.

 

Përtej retorikës: e vërteta që Rama s’e thotë

 

Rama nuk është i shqetësuar për financat publike, as për barazinë. Ai është i shqetësuar për çdo segment institucional që mund t’i sfidojë kontrollin absolut. Në këtë rast, pagat e gjyqtarëve kthehen në karrem për propagandën, në kamxhik për gjyqësorin dhe në instrument presioni mbi një vendim që nuk e ka në dorë.

 

Madje është e njëjta strategji që e ka ndjekur prej kohësh: nga sulmet ndaj SPAK-ut kur hetimet afrohen te kupola politike, deri te ironizimi i çdo institucioni që nuk i bindet. Sot është radha e Gjykatës Kushtetuese. Berisha është më i vrazhdë dhe më i drejtpërdrejtë në këtë pikë. Ai nuk e fsheh aspak se niset nga halli i tij personal. Tashmë me 50 mandate pas vetes.

 

Përfundim: çështja nuk është paga, por pavarësia

 

Ky nuk është një debat për 700 euro më shumë apo më pak. Është një betejë për pavarësinë e pushtetit gjyqësor, në një kohë kur pushteti ekzekutiv është në kulmin e arrogancës së tij. Është një çështje themelore për demokracinë: mund apo nuk mund të ketë sot një gjyqësor që nuk ndikohet as nga Berisha, as nga Rama?

 

Kushtetuta e Shqipërisë nuk është thjesht një tekst juridik, por një pengesë morale dhe institucionale ndaj pushtetit absolut. Ajo nuk mbron vetëm qytetarin nga qeveria, por edhe pushtetet nga njëri-tjetri.

 

Sot, është radha e Gjykatës Kushtetuese që të mbrojë veten, gjyqësorin dhe vetë Republikën. Tek e fundit, të kërkojë sistemi i drejtësisë të rriten pagat, në thelb është shenjë e mirë. Tregon që së paku gjyqtarët e çdo niveli e shohin pagën si burimin kryesor të të ardhurave, dhe jo korrupsionin. Më mirë një faturë më e lartë mbi buxhetin e shtetit dhe më shumë drejtësi e pavarur, sesa buxhet i kursyer por që vidhet nga pushteti, e bashkë me të korruptohet edhe drejtësia.

 

Për ta bërë këtë arsyetim më konkret, mjafton të themi se për vitin 2024, sipas raportit të KLSH-së, shuma e parave të shpërdoruara nga shteti i Edi Ramës është 167.4 milionë euro.

Ndërkohë, po për të njëjtin vit, shuma e parave që SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar — pra para që rikthehen në buxhetin e shtetit — është 65.5 milionë euro.

 

Pra pushteti që ka ndërtuar Rama dhe Berisha na merr nga xhepat tanë dhe i fut në xhepat e tyre 167.4 milionë euro. Kurse drejtësia — dhe për korrektësi, vetëm SPAK në fakt — merr nga xhepat e krimit dhe korrupsionit dhe i kthen në buxhetin tonë 65.5 milionë euro.

 

Kushdo që dëshiron të bëjë një analizë të thjeshtë me shifra, ja ku i ka përballë: një pushtet që vjedh, dhe një drejtësi që rikthen.

 

Koha e mendësisë bolshevike është tejkaluar. Të vetmet mbeturina bolshevike, bashkë me një moral të kalbur, që i kanë mbetur Shqipërisë, janë Rama dhe Berisha.

 

Fatkeqësia është se ata janë pothuajse mbajtësit e vetëm të pushtetit sot. Ndaj, le të jetë kjo hera kur drejtësia hesht, por nuk përkulet para tyre. Sepse beteja për drejtësi nuk ka çmim.

ree

 
 
 

Comments


Na kontaktoni

  • Instagram
  • Facebook

Donate Now

Thank you for your donation!

© 2035 by Turning Heads. Powered and secured by Wix

bottom of page