Demokraci në shtrembërim: Si e ndryshon një sistem zgjedhor Fatin e një Republike
- Habemus

- May 20
- 6 min read
Updated: May 22

Në vende ku demokracia është ende një premtim më shumë sesa një realitet, vota nuk ndryshon më fatet – ajo thjesht shndërrohet në një ritual të kotë. Në Shqipëri, më 11 maj, qytetarët u ftuan jo për të zgjedhur, por për të soditur një skenë të mbyllur paraprakisht. Një teatër politik ku gjithçka ishte shkruar nga dy autorë të vjetër: PS dhe PD. Votuesi shqiptar, gjithnjë më i heshtur dhe më i lodhur, u shndërrua në figurant në një dramë që nuk e shkroi vetë. Tashmë duhet që edhe ta duartrokasë.
* Sistemi si kalë Troje kundër demokracisë
Sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura në Shqipëri nuk është një urë për përfaqësim – është një kështjellë me mure të larta e porta të rënda. Jo për të mbrojtur votuesin, por për të ruajtur privilegjet e atyre që janë tashmë brenda. Formula D’Hondt, në pamje të parë teknike, në praktikë izolon territorin politik nga “elementët e huaj të padëshiruar” – partitë e reja, iniciativat qytetare, zërat ndryshe. Funksionon më shumë si një mjet për të ruajtur balancat e brendshme të partive të mëdha.
Zgjedhjet e 11 majit këtë treguan. Shqipëria jo thjesht votoi – ajo u përfshi në një eksperiment zgjedhor të kontrolluar nga duart e atyre që prej vitesh kontrollojnë skenën politike. PS me 53% të votave mori 83 mandate – 9 më shumë nga sa do të meritonte. PD - ASHM, me 33%, përfitoi 50 mandate, 3 më shumë sesa i takonin. Ndërkohë, partitë e vogla, që bashkë mblodhën rreth 14% të votës kombëtare, përfaqësohen me vetëm 7 deputetë (duhet të kishin rreth 19). Ky nuk është një aksident, por një arkitekturë e paramenduar – një pasqyrë e deformuar ku qytetari sheh votën e tij të përkthyer në farsë si në një iluzion gjeometrik.
* Marrëveshja në heshtje: pushteti që i bashkon
Në dukje kundërshtare, në thelb aleate. PS dhe PD – të dyja ndihmuan në ndërtimin dhe ruajtjen e këtij sistemi. Simulojnë garë, por realisht mbyllin derën për këdo “tjetër” që sfidon rregullat e vjetra. PD, edhe pse në opozitë, është bashkëautore e këtij kompromisi – jo për të reformuar sistemin, por për të ruajtur vendin në tavolinë. Një “pakt xhentëlmenësh” për të kontrolluar fushën, përpara se loja të fillojë. Një formë e sofistikuar e manipulimit institucional, ku loja është e rregulluar dhe fituesi i madh i di gjithmonë rregullat – sepse vetë i kanë shkruar.
Qëllimi ishte i qartë: të kontrollohet peizazhi politik, të minimizohet rreziku nga forcat e reja dhe të ruhet dominimi i dy partive të mëdha. Dhe fatkeqësisht për demokracinë, kjo u arrit me sukses kirurgjikal. Një sistem që i shërben të mëdhenjve dhe i mbyll derën të vegjëlve është, praktikisht, një sistem që përjashton evolucionin politik natyror. Dhe si çdo marrëveshje e fshehtë midis dy konkurrentëve që ndajnë fushën përpara lojës, ajo hedh hije të mëdha mbi moralitetin e garës politike.
* Efekti mbi votuesin: një votë pa zë
Në thelb të çdo demokracie qendron një parim i thjeshtë: votat kanë peshë të njëjtë. Por ky parim u shkel. Në një sistem proporcional të ndershëm, votat përkthehen në mandate në parlament sipas peshës që mbajnë. Por në Shqipëri, kjo barazi ka marrë fund. PS ka marrë rreth 9 mandate më shumë sesa do të meritonte me 53% të votave. PD ka përfituar rreth 4 mandate më shumë. Ndërkohë partive të reja – zëri i ndryshimit, sfida për sistemin, pasqyrimi i një kërkese të re politike – iu mohohen 12 mandate: janë, në fakt, të dënuara që në nisje.
Kur një sistem votimi nuk përkthehet në përfaqësim të ndershëm, ai shndërrohet në tallje me qytetarin. Votat e dhëna nga diaspora – rreth 200 mijë – nuk ndryshuan renditjen, por thjesht thelluan disproporcionin. Mbi 110 mijë vota për PS (!!!) nga jashtë vendit nuk rritën përfaqësimin e tyre real, por konsoliduan një epërsi strukturore.
Vetëm 43% e shqiptarëve që jetojnë në vend morën pjesë në zgjedhje. Kjo nuk është një statistikë teknike – është një akt kolektiv mosbesimi. Ky nuk është një numër – është një britmë e heshtur, një mospërfshirje që flet më shumë se çdo votë. Kur 57% e popullsisë refuzon të marrë pjesë, do të thotë se jo vetëm që nuk ka besim tek ofertat politike, por nuk beson më as tek fuqia e vetes për të ndryshuar diçka. Në këtë kuptim, mosvotimi është bërë forma më e përhapur e protestës në Shqipëri. Në një demokraci të shëndetshme, pjesëmarrja është indikator i shpresës. Në Shqipëri, mungesa e pjesëmarrjes është indikator i një zhgënjimi të thellë – dhe ndoshta i një dorëzimi të heshtur.
* Legjitimiteti kushtetues i lëkundur
Kur parlamenti nuk përfaqëson vullnetin real të qytetarëve, ai e humbet legjitimitetin e tij kushtetues. Dhe kur një parti kontrollon 83 mandate – vetëm një fije larg ndryshimeve me shumicë të cilësuar – balanca demokratike nuk është më e rrezikuar: ajo është shkërmoqur. Kjo sepse deformimi përplaset me parimet themelore të Kushtetutës që garantojnë përfaqësimin dhe pluralizmin. Në këtë pikë, sistemi i përfaqësimit nuk është më “proporcional” por një maskë e trashë për dominimin politik.
Partitë e vogla janë sakrifikuar. Jo në emër të ndershmërisë, por të dominimit. Ato janë dënuar të mbesin në skaj, sado mbështetje të kenë. Dhe kjo nuk është thjesht padrejtësi – është ndalim i evolucionit demokratik.
* Rreziku që vjen nga e ardhmja, (pa dhunë-me dhimbje)
Demokracia nuk vdes me tanke në rrugë. Vdes në heshtje – në zyrat ku hartohen sistemet, në kalkulimet e ftohta që përjashtojnë ndryshimin. E ky sistem zgjedhor prodhon apati, fragmentim shoqëror dhe besim të thyer. Për partitë e vjetra është një fitore taktike; për shoqërinë është një humbje strategjike. Ky sistem pra nuk është thjesht një defekt. Është projektuar apostafat për të qenë i tillë.
Me një shumicë kaq të deformuar, PS është vetëm një frymë larg kufirit të 84 votave, që i lejon të miratojë ligje të rëndësishme pa opozitën. Me një fije pazari, mund të arrijë edhe 94 votat, dhe të ndryshojë Kushtetutën. Këtu fillon rreziku real. Ky nuk është vetëm rrezik për sistemin ligjor – është rrezik për vetë nocionin e pushteteve të ndara dhe pavarësinë e institucioneve, për vetë natyrën e shtetit të së drejtës. Në një klimë të tillë, drejtësia mund të kthehet në një mjet në dorën e ekzekutivit – një precedent që historia e Ballkanit e njeh shumë mirë: rruga që çon në autoritarizëm me maskë demokratike.
Nuk mbaron këtu. Ndoshta nuk kemi parë asgjë akoma sepse rreziku është shumëplanësh:
• Zhdukja e pluralizmit të vërtetë: Votuesit nuk do të shohin më kuptim në krijimin apo mbështetjen e partive të reja.
• Rritje e cinizmit politik: Votuesit nuk do të ndëshkojnë më partitë për dështimet e tyre – sepse nuk besojnë më në peshën e votës së tyre.
• Kthim në sistem njëpartiak de facto: kur dominimi bëhet strukturor, jo vetëm politik, sistemi demokratik pushon së qeni real.
• Legjislativi bëhet monopol i një force.
• Zhvlerësim të zgjedhjeve si mjet ndryshimi
• Opozita humbet besimin si alternativë.
• Rritje të apatisë dhe radikalizimit politik
• Shfaqje të lëvizjeve populiste dhe anti-sistem
• Mungesë legjitimiteti për institucionet publike
• Institucionet e pavarura kthehen në zgjatime të pushtetit.
• Rritje të emigracionit politik – pra qytetarë që largohen jo vetëm për arsye ekonomike, por nga mungesa e besimit se vendi mund të përmirësohet ndonjëherë.
Këto nuk janë thjesht rreziqe teorike. Janë skenarë të mundshëm, të ndodhur tashmë diku tjetër, dhe që po përvijohen edhe në Shqipëri.
* Ky nuk është vullnet prej demokracie
Në dukje – po: ka votime, monitorime, numërime. Por thelbi është tjetër: kur sistemi është i prishur, rezultati i tij nuk është vullnet i lirë, por simulim i tij. Demokracia nuk është thjesht proces, por përfaqësim i drejtë. Dhe kur vota nuk përfaqëson, ajo nuk është më mjet ndryshimi – por një dekor për të legjitimuar të pandryshueshmen.
* Konkluzion: Demokracia si memorje e humbur
Demokracia nuk është vetëm një sistem rregullash – është një marrëveshje morale midis qytetarit dhe shtetit. Kur shteti e shkel këtë marrëveshje, kur vota e qytetarit përkthehet në mënyrë të padrejtë, atëherë edhe qytetari fillon ta shohë demokracinë si mashtrim.
Sistemi politiko-elektoral që kemi pikërisht këtë ben: shpërblen forcën dhe dënon përpjekjen për ndryshim. Ky nuk është thjesht një defekt teknik – është një deformim etik.
Nëse vazhdojmë me këtë sistem, nesër nuk do të kemi më qytetarë – por vetëm spektatorë. Jo zgjedhje – por rituale. Jo garë – por marrëveshje. Dhe në vend të një demokracie në zhvillim, do të kemi një kujtim të largët për një Republikë që na ishte dikur. Por që u pengua të rritej, sepse vota humbi kuptimin, dhe bashkë me të – edhe shpresa.
Nëse kjo nuk është demokracia që duam të trashëgojmë, atëherë ka ardhur koha të fillojmë nga e para. Jo nga fjalët, por nga themelet.





Comments