Fitorja e numrave - Humbja e Republikës – Hipokrizia e analistëve
- Habemus

- Jun 2
- 5 min read
Më 11 maj 2025, Shqipëria zhvilloi një tjetër palë zgjedhje parlamentare. Ato kaluan, si gjithmonë, në një atmosferë zyrtare qetësie, me numra që u shpallën me shpejtësi dhe një fitues që nuk kishte asnjë dilemë mbi rezultatin. Por këtë herë, pas heshtjes numerike të fakteve, fshihet një realitet që nuk është vetëm politik, por edhe moral: një republikë që nuk funksionon më.
Përtej triumfit të numrave, Shqipëria humbi diçka më të madhe: besimin në garë, ndjesinë e përfaqësimit, dhe më e rënda, ndjesinë se qytetari ka ende një zë që mund të ndryshojë diçka. U krijua përshtypja e rreme e stabilitetit, ndërkohë që në të vërtetë kemi hyrë në një fazë të thellë të stanjacionit demokratik, ku pushteti është bërë i pakontestueshëm, opozita është vetëshkatërruar dhe vetë sistemi është kthyer në një rregull loje që nuk pranon më lojtarë të rinj.
E vetmja “zhurmë” që ka mbetur pas, është loja e stisur midis analistëve pro-Rama dhe pro-Berisha që anatemohen reciprokisht. Hipokrite si gjithnjë. Provë e rreshtimit të mëparshëm prej paaftësisë ose pagesave nën dorë. Të rreshtuar kështu, po i mohojnë publikut, vështrimin e qartë “përtej” tifozllëkut, për të ardhmen e zymtë të vendit. I tillë edhe për vetë analistët madje.
• Kolonat e një rezultati të parashkruar
Zgjedhjet e 11 majit nuk u fituan thjesht përmes fushatës, por përmes tre kolonave të ndërlidhura: një pushtet që është bërë sistem, një opozitë që ka humbur kuptimin e ekzistencës së saj dhe një sistem zgjedhor i projektuar për të shtypur çdo përpjekje për përfaqësim të ri. Secila nga këto kolona është e mjaftueshme për të rrezikuar funksionimin demokratik të një vendi. Të tria bashkë krijojnë një mjedis ku zgjedhjet nuk janë më mjet për ndryshim, por ritual për vazhdimësi.
I. Pushteti që e ka normalizuar të jashtëligjshmen
Prej vitesh, qeverisja e Edi Ramës ka kaluar nga qeverisje përmes shumicës në sundim përmes aparatit. Institucionet publike janë integruar në makinerinë elektorale, ndërsa koncepti i ndarjes së shtetit nga partia është braktisur si anakronik. Patronazhistët – dikur simbol i një deformimi – janë sot shtylla e një sistemi të institucionalizuar, ku qytetari nuk pyetet, por udhëzohet.
Këtë vit, kjo makineri u zgjerua edhe përtej kufijve. Për herë të parë, mbi 190 mijë shqiptarë të diasporës votuan. Në vend që kjo të ishte një shenjë emancipimi, ajo rezultoi një eksport i kontrollit: votues të identifikuar nga shteti, të kontaktuar nga diplomatët, të drejtuar qartësisht drejt votës për partinë në pushtet. Nuk ishte vota e lirë që trokiste në dyert e Shqipërisë nga jashtë, por aparati që dilte përtej kufijve për të ruajtur pushtetin brenda.
Përllogaritjet reale tregojnë se ky kontroll mund të ketë shtuar me rreth 6–8% rezultatin e Partisë Socialiste. Një diferencë vendimtare, që e kthen pjesëmarrjen në farsë dhe fitoren në një iluzion të planifikuar.
II. Opozita si bunker personal, jo si alternativë
Në anën tjetër të fletës së votimit, qytetarët nuk panë një alternativë – por një rikthim të frikshëm të së kaluarës. Partia Demokratike, që dikur përfaqësonte shpresën për ndryshim, është sot një bunker për mbrojtjen e një individi. Me një lider të shpallur “non grata” nga dy aleatët më të rëndësishëm të vendit, nën hetim për korrupsion, PD nuk kandidoi për të përfaqësuar qytetarët, por për të garantuar mbijetesën politike të një njeriu të vetëm.
Marrëveshjet me Edi Ramën – për Kodin Zgjedhor dhe Amnistinë Penale – ishin thikë mbi kredibilitetin e saj. Jo thjesht si veprime të dyshimta, por si simbole të një bashkëpunimi të heshtur me pushtetin që pretendohej se duhej kundërshtuar. Në vend që të ishte alternativë, PD u bë pjesë e skemës. Dhe qytetarët reaguan jo me protesta, por me indiferencë – më ndëshkuese se çdo votë kundër.
Mijëra votues zgjodhën të mos shkojnë fare në votime, ose i drejtuar votat drejt partive të reja, jashtë sistemit të vjetër. Ky është një dëm që nuk mund të rikuperohet me deklarata politike, sepse nuk është thjesht numër – është një krizë besimi.
III. Kodi që vret përfaqësimin
Për t’i vënë kapak kësaj skeme të mbyllur, vjen Kodi Zgjedhor – një marrëveshje Rama–Berisha në vitin 2024 nuk u bë për të garantuar përfaqësimin, por për të fiksuar sistemin. Proporcionali rajonal me pragje të fshehta dhe ndarje arbitrare mandate është dizajnuar për të përjashtuar të tjerët. Dhe funksionoi pikërisht ashtu siç ishte parashikuar.
Partia Socialiste me 53% të votave mori 83 mandate. PD me 33% mori 50. Ndërkohë, mbi 13% e votave për parti të tjera u përkthyen në vetëm 7 deputetë. Ky nuk është vetëm deformim teknik – është një dhunim i frymës së kushtetutës. Një sistem që nuk pasqyron vullnetin qytetar, por e filtron atë sipas interesave të dy partive që e kanë shndërruar politikën shqiptare në një monopol.
• Një e ardhme pa garë, pa përfaqësim dhe pa kontroll
Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen politike të vendit?
Edi Rama – një pushtet pa asnjë kundërpeshe
Me 83 mandate të PS-së dhe së paku 3 të PSD-së, Edi Rama ka një shumicë të kualifikuar – e mjaftueshme për të ndryshuar ligje organike, për të emëruar drejtues institucionesh dhe për të kontrolluar çdo hallkë të sistemit. Ai nuk ka më nevojë për marrëveshje. As për aleatë. As për opozitë.
Në histori, pushtetet absolute nuk janë shembuj suksesi – por paralajmërime për kriza. Kur kontrolli zhduket, korrupsioni bëhet normë. Dhe kur askush nuk mund të sfidojë pushtetin, ai përfundon duke sfiduar vetë vendin që e mbart.
Sali Berisha – një lider që ka fituar partinë, por ka humbur Shqipërinë
Edhe pse kontrollon grupin e PD-së, Sali Berisha është më i vetmuar se kurrë. Ai nuk i duhet më askujt për negociata. Nuk është më faktor për pazare. Nuk përfaqëson më një alternativë. Ka fituar kontrollin e brendshëm të partisë, por ka humbur përfundimisht përfaqësimin publik.
PD rrezikon të kthehet në një strukturë të mbyllur, pa akses në perëndim dhe pa lidhje me qytetarin. Një parti që nuk mund të bëjë dot as opozitë, sepse është e zënë me mbrojtjen e liderit të saj.
Parlamenti – nga përballje, në teatër
Në konfigurimin aktual, Parlamenti nuk është më një arenë debati. Ai është një teatër i një akti të vetëm. Partia në pushtet do të legjitimojë çdo iniciativë. Opozita do të bëjë zhurmë për liderin. Partitë e vogla, të fragmentuara dhe të papërfaqësuara denjësisht, nuk kanë fuqi reale.
Më tragjikja? SPAK-u ka mbetur pa mbrojtje. I sulmuar nga opozita, i frenuar në heshtje nga mazhoranca, ai është tani një institucion që mbijeton vetëm nëse qytetarët e mbrojnë. Nëse jo, edhe ai rrezikon të bëhet një instrument formal në një sistem ku drejtësia është deklaratë, jo realitet.
• Përtej analizave të rreme
Në këtë peizazh të turbullt, as analizat nuk janë më të sinqerta. Ato janë bërë palë me kampet.
- Analistët pro-Ramës kanë të drejtë kur thonë se Berisha është pengesë për opozitën – por heshtin për kapjen e shtetit dhe manipulimin e zgjedhjeve.
- Analistët pro-Berishës flasin me pasion për abuzimet e Ramës – por mbyllin sytë ndaj pazareve dhe degradimit moral të opozitës së tyre.
Nëse duam të kuptojmë realitetin, duhet ta themi të plotë: Shqipëria është aktualisht në autokraci, pa opozitë reale, pa përfaqësim të drejtë, pa garë të ndershme dhe pa mekanizma kontrolli ndaj pushtetit, me një publik mosbesues te vetë demokracia si sistem shtetëror. Një shtet ku fituesi merr gjithçka, humbësi shërben si fasadë për pluralizëm dhe publiku pothuajse i dorëzuar para kësaj rutine.
• Thirrje për zgjim
Shqipëria nuk humbi thjesht një palë zgjedhje. Humbëm një mundësi për ringritje. Humbëm pluralizmin e vërtetë. Humbëm kontrollin ndaj pushtetit. Humbëm, ndoshta, edhe shpresën.
Sigurisht historia nuk mbaron më 11 maj. Në çdo kohë është momenti për të menduar një ndryshim. Këtë nuk e heq dot as Rama e as Berisha, as të dy bashkë. Thjesht duhet gjetur mjeti. Dhe aktorët. Rruga e ndryshimit nuk kalon as nga Rama, as nga Berisha. Kalon nga ata që nuk pranojnë të bëhen pjesë e një skeme të mbyllur. Nga ata që nuk duan të zgjedhin më ndërmjet dy të këqijave. Nga analistët jo e jo. Kalon nga ne. Fillimisht duke hapur sytë e parë qartë se ku jemi.






Comments