Rama & Berisha: Hapni kutitë ose largohuni!
- Habemus

- Jun 4
- 4 min read
(rasti Kalaja dhe Alimehmeti)
Ka një moment, pas çdo procesi zgjedhor, kur heshtja që bie mbi vendin nuk është qetësi. Është braktisje. Dhe në Shqipërinë e pas 11 majit, heshtja që ka zënë vendin është heshtja e atyre që panë votën të numërohej me duar të tjera dhe mandatin t’u ikte me duart në xhepa.
Në Tiranë e në Durrës, dy kandidatë të listës së hapur të Partisë Demokratike — Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja — kanë kërkuar rinumërim të votave të tyre personale. Jo për të përmbysur rezultatin kombëtar, jo për të shtuar mandate për opozitën, por për të ditur të vërtetën e votës që qytetarët u besuan atyre. Ata kërkojnë diçka themelore: të dinë a është votuar emri i tyre dhe a është respektuar ajo votë.
Por çfarë ndodhi? Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve e hodhi poshtë kërkesën. Arsyeja? Sepse nuk e paraqiti “subjekti zgjedhor”, pra partia. Partia heshti. Kandidatët nuk kanë të drejtë të kërkojnë të numërohen votat e tyre. Në këtë vend, në vitin 2025, një individ që ka kandiduar, që ka marrë vota, që është emër në një fletë votimi — nuk mund të dijë se çfarë ndodhi me votën e tij. Sepse nuk është “partia” që e ka kërkuar këtë. Sepse fjala “parti” në Shqipëri ka më shumë peshë se fjala “kushtetutë”.
Ky është thelbi i kësaj çështjeje. Dhe kjo nuk është më thjesht një çështje teknike. Kjo është një çështje lirie, dinjiteti dhe morali publik.
E drejta për të votuar është një gjysmë e drejtë pa të drejtën për të ditur për kë votove.
E drejta për t’u zgjedhur është një tallje pa të drejtën për të mbrojtur votën që ke marrë.
Në sistemin e listave të hapura që Shqipëria adoptoi me pompozitet, u tha se qytetarët do të zgjidhnin jo vetëm partinë, por edhe njeriun. Se pushteti do të shkonte te emri, te individi, te përfaqësimi personal. Por ajo që nuk u tha është se, në këtë sistem, edhe kur qytetari e zgjedh njeriun, partia e ka çelësin për të mbrojtur apo për të braktisur atë zgjedhje.
Kjo është një hipokrizi institucionale. Kandidatët e partive, nëse kryetarit nuk i pëlqen t’u mbrojë votën, mbeten pa zë. Ata nuk janë më njerëz në garë — janë zëra të nënshtruar. Dhe në një demokraci funksionale, kjo është krizë legjitimiteti.
A kemi një ligj që e ndalon kandidatin të kërkojë rinumërim?
Jo. Por kemi një praktikë. Një praktikë që vendos partitë si filtra të së drejtës. Një praktikë që thotë: nëse nuk të mbron kryetari i partisë, nuk ke më mjet juridik për të mbrojtur votën tënde. Pra, duhet që të të japë dritën jeshile Rama ose Berisha që, për votat personale të marra nga kandidati, të bëhen transparencë. Një çudi shqiptare që ngurtëson me ligj praktikën totalitare të sundimit të partive politike.
Kjo praktikë është alogjike, jokushtetuese dhe poshtëruese. Ajo e trajton kandidatin si aksesor të partisë, jo si përfaqësues të qytetarit. E trajton votën si pronë të listës, jo si shprehje të vullnetit individual.
Ky është momenti kur demokracia deformohet jo me grusht, por me procedurë.
Tani gjithçka është në duart e Kolegjit Zgjedhor.
Por Kolegji nuk është më thjesht një organ që zbaton rregulla. Tani ai është institucioni i fundit që mund të mbrojë dinjitetin kushtetues të votës personale.
Nëse edhe Kolegji hesht, nëse edhe Kolegji fshihet pas praktikave për të justifikuar një padrejtësi të qartë, atëherë nuk kemi më të bëjmë me një problem të kandidatëve. Kemi të bëjmë me një sistem që ka vendosur të mos dëgjojë më qytetarin.
Kushtetuta thotë se çdo qytetar ka të drejtë të zgjidhet. Kjo do të thotë edhe të ketë mjet për të mbrojtur mandatin e tij kur ai vihet në diskutim. Të mos e lidhësh këtë të drejtë me vullnetin e partisë. Të mos e nënshkruash mbrojtjen e votës me leje nga kryetari.
Nëse një kandidat i pavarur ka të drejtë të ankimojë rezultatin e tij, si mundet që një kandidat i një partie nuk e ka këtë të drejtë? Ku është barazia para ligjit? A është partia një zonë e lirë nga rregullat e Kushtetutës? A e tejkalon vula e kryetarit të partisë vulën e votës së popullit?
Ky nuk është një konflikt mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, Aulon Kalasë dhe Arian Ndojit. Nuk është një garë mes Xhaçkës dhe Gjylametit. Është, në fakt, një përplasje mes Ramës dhe Berishës nga njëra anë, dhe mijëra zgjedhësve nga ana tjetër.
Është një konflikt mes dy modeleve të Shqipërisë: një Shqipëri ku qytetari ka të drejtë të dijë ku shkoi vota që dha, dhe një Shqipëri ku gjithçka vendoset në zyrën e një kryetari partie.
A do të jetë Kolegji Zgjedhor noteri i një procesi të mbyllur apo mbrojtësi i Kushtetutës së Republikës?
A do të jetë ky rasti i parë ku individi përballë partisë fiton të drejtën për të ditur të vërtetën?
Zgjedhjet mbaruan. Por drejtësia zgjedhore sapo ka nisur. Dhe nëse as ajo nuk jep drejtësi, atëherë nuk kemi më votime – kemi vetëm lista. Të mbyllura, me emra që nuk ndryshojnë, dhe vota që nuk numërohen më për njerëzit, por për partinë.
Dhe kur vota humbet emrin, ajo nuk është më votë. Është mashtrim i ligjshëm. Dhe asgjë nuk e vret më qetësisht një republikë sesa ky mashtrim me miratim të heshtur.
Alimehmeti dhe Kalaja ndoshta humbën mundësinë për të çuar zërin e tyre në Parlament nga shtatori e tutje, por tani kanë në dorë një kauzë të madhe publike – më të rëndësishme se çdo kauzë tjetër që kolegët e tyre gojë-mbyllur mund të kenë kur të hyjnë në Kuvend.
Të shohim nëse edhe këta dy do të kenë gojën e hapur, mendjen e ftohtë dhe kurajon civile për ta fituar këtë kauzë. Me ngulm deri në fund!






Comments