top of page

Republika e një njeriu të vetëm – Anatomia e një modeli dhe ora e përmbysjes

  • Writer: Habemus
    Habemus
  • May 20
  • 4 min read

Updated: May 22


ree

Dikur një terren eksperimentesh demokratike, Shqipëria sot ngjan me një laborator të mbyllur hermetikisht, ku një lider i vetëm teston mbi një shoqëri të lodhur kufijtë e durimit, manipulimit dhe indiferencës. Në qendër të këtij eksperimenti qëndron Edi Rama – një mjeshtër i ndërtimit të realiteteve paralele, që ka shndërruar pushtetin në një skenë personale, ku ai është njëherazi regjisori, aktori dhe kritiku.

Shteti i Edi Ramës nuk është më “një turravrap me një hap të madh drejt autokracisë”, por një rrëshqitje e qëndrueshme dhe e rafinuar drejt një sistemi ku rregullat janë fluide dhe institucionet janë hijet e vetvetes. Ai nuk ka ndërtuar thjesht një regjim autoritar në kuptimin klasik – ai ka formësuar një realitet të ri ku politika dhe propaganda, pushteti dhe performanca, përzihen me një dinakëri që mbulon shtypjen me buzëqeshje, arrogancën me stil dhe kontrollin me narrativë. Qeverisja e kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar një model të personalizuar pushteti, ku institucionet ekzistojnë, por nuk funksionojnë si kundërpeshë reale; ku zgjedhjet mbahen rregullisht, por nuk krijojnë alternativë; dhe ku qytetari është gjithnjë e më shpesh spektator, jo pjesëmarrës .

• Nga politika në spektakël – dhe nga spektakli në diktat të butë

Rama nuk ka ndërtuar një autokraci të zhurmshme. Ka kultivuar një regjim të heshtur, të mbështjellë me estetikë urbane, batuta televizive dhe propaganda digjitale. Demokracia shqiptare nuk u rrëzua me një grusht shteti – ajo u zvogëlua ditë pas dite, nën një pushtet që qesh ndërsa kontrollon, përqafon ndërsa asfikson, dhe stilizon shtypjen me llustër moderniteti. Ai ka ndërtuar një formë të re të pushtetit të qëndrueshëm – jo përmes përplasjeve të dhunshme apo cenimit flagrant të të drejtave, por përmes kontrollit të perceptimit publik.

Kjo zhvendosje nga përmbajtja drejt pamjes e ka bërë më të vështirë analizën kritike të qeverisjes: kur shteti duket funksional, por nuk funksionon, pjesëmarrja qytetare fillon të shuhet.

Reforma në drejtësi, decentralizimi i pushtetit lokal, apo edhe zhvillimi digjital janë paraqitur si suksese të modelit Rama. Por nën sipërfaqe, institucionet mbeten të kapura, të politizuara dhe me kapacitete të kufizuara për të ndikuar realisht në vendimmarrje. Me një administratë që i detyrohet pushtetit dhe një sistem drejtësie ende të pambrojtur nga presioni politik, kontrolli i pushtetit bëhet më shumë formal se real.

• Zgjedhjet si një instrument legjitimimi, jo si një mjet konkurrimi

Është treguar skrupoloz sidomos përmes reformave të njëanshme elektorale. Kontrolli i mediave private, angazhimi pa mëshirë i strukturave shtetërore, perdorimi i financave publike dhe jo vetëm, penetrimi i segmenteve kriminale dhe oligarkike, dhe mveshja e gjithçkaje nën një megastrukturë patronazhimi me koracë pushteti e ka bërë garën elektorale një teatër ku skenari është i shkruar që më parë. Nuk ka nevojë të vjedhë vota me kuti. E kontrollon votën përpara se ajo të hidhet.

E kështu, zgjedhjet vërtet mbahen rregullisht, por kanë humbur funksionin e tyre si instrument ndryshimi. Thjesht një ritual i paracaktuar, një dramë pa suspens, ku protagonisti dihet që në skenarin paraprak. Opozita tradicionale, e vjetër, e fragmentuar dhe e kapur, nuk ka ofruar deri tani një narrativë të besueshme që mund të konkurrojë me atë të mazhorancës. E lodhur, e përçarë dhe pa vizion, ka zgjedhur rolin më të rehatshëm: atë të statujës që rrallë flet, kurrë nuk frymëzon dhe gjithnjë fajëson.

• Estetika si alibi e stanjacionit

Ajo që e bën modelin Rama më të sofistikuar është estetika. Me një përdorim mjeshtëror të gjuhës, ironisë, simbolikës dhe medias sociale, ai jo thjesht komunikon – ai kolonizon diskursin publik. Nga “rilindja urbane” te sloganet boshe, gjithçka është pjesë e një platforme propagandistike që synon të krijojë perceptimin e një suksesi konstant, ndërkohë që realiteti zhytet në dështime strukturore.

Sepse Rama e di që realiteti nuk ka më rëndësi – mjafton perceptimi. Prandaj ai investon në pamje, jo në përmbajtje. Fashat e fasadave, sheshet me drita LED, aplikacionet qeveritare me ngjyra të ndezura – të gjitha të vështruara nga lartësitë marramendëse të rrokaqiejve prej betoni, shërbejnë si narkotik vizual për një publik të lodhur që kërkon vetëm një iluzion funksionaliteti. Dhe ndërsa qytetari sheh dritat, nuk sheh më errësirën e shtetit.

• Qëndrueshmëria që ushqehet nga apatia

Fuqia e modelit Rama nuk qëndron vetëm në kapjen e institucioneve, por në kapjen e vetë shpirtit qytetar. Një popull i zhgënjyer, i demotivuar, i lodhur nga tranzicioni, shpesh zgjedh mosangazhimin, dhe kjo është oksigjeni i këtij modeli. Kur pushteti nuk sfidohet, ai nuk ka pse të justifikohet. Kur njerëzit heqin dorë nga pjesëmarrja, pushteti kthehet në pronë personale. Dhe në këtë pikë, Edi Rama nuk ka më nevojë të sundojë – sepse thjesht nuk ka kush e kundërshton.

• Si thyhet një model i tillë?

Për të thyer këtë model, nuk mjafton e nuk duhet synuar vetëm një rotacion i pushtetit. Nevojitet një përmbysje kulturore dhe institucionale. Kjo përmbysje nuk bëhet me retorikë. Por me një opozitë të ristrukturuar që heq dorë nga karikaturat dhe folklorizmi politik dhe të ndërtojë një alternativë të artikuluar, reale, të bazuar në politika drejt njeriut dhe jo në protagonizëm banal.

Me një shoqëri civile që duhet të rishpikë veten, përtej lypjes së projekteve te donatorët, dhe që kthehet në një forcë mbikëqyrëse të përhershme. Me mediat tradicionale që nuk servilosen, por kërkojnë të vërtetën edhe kur është e pakëndshme. E nëse këto jo, me media të reja dhe platformat alternative që duhet të luajnë rolin e tribunës së të vërtetës, duke çmontuar narrativat e fabrikuara dhe duke dhënë hapësirë për investigim dhe analizë. Dhe me një presion ndërkombëtar që nuk duhet të mjaftohet më me deklarata, por që vendos kushte për transparencën.

E mbi të gjitha – me qytetarin që nuk sheh më nga dritarja, por del në rrugë!

Modeli Rama nuk është vetëm problem i Edi Ramës. Është problem i shoqërisë që ka pranuar gradualisht standardin e ulët si normë. Sepse në instancë të fundit, modeli Rama është pasqyrë. Dhe në atë pasqyrë, shpesh, ai që duhet të ndryshohet, nuk është vetëm kryeministri – por secili prej nesh që e ka lejuar këtë model të zgjatet në kohë.

Përmbysja e këtij modeli nuk vjen si rrufe në qiell të pastër. Vjen si proces. Si rebelim i duruar. Si përplasje midis iluzionit dhe së vërtetës. Dhe kjo e fundit, gjithmonë, e ka një moment ku merr zë.

Nëse nuk kemi guximin të rrëzojmë një model të ndërtuar mbi një njeri të vetëm, atëherë le të jemi të sinqertë: kemi hequr dorë nga ideja e një Republike.

Jo sepse nuk na e lejojnë – por sepse nuk e kërkuam me mjaftueshëm zë.

 
 
 

Comments


Na kontaktoni

  • Instagram
  • Facebook

Donate Now

Thank you for your donation!

© 2035 by Turning Heads. Powered and secured by Wix

bottom of page