Republika në hije, opozita në agoni: A ka më kuptim të kërkosh dorëheqjen e Berishës?!
- Habemus

- May 27
- 4 min read
Shqipëria pas zgjedhjeve të 11 majit 2025 nuk është thjesht një vend me një mazhorancë të re – është një vend që po zbret edhe më thellë në një sistem të mbyllur politik, ku balanca e pushteteve është thyer, dhe ku shpresa për alternim është katandisur në një iluzion qesharak.
Me 83 mandate të Partisë Socialiste – shumicë që i jep mundësi të preken (me pak mund) deri dhe ligjet kushtetuese – Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të sundimit të gjatë të Edi Ramës. Dhe ajo që e bën këtë më të rrezikshme është jo vetëm forca e mazhorancës, por dobësia e frikshme e opozitës.
PD zgjodhi të mos fitojë. Partia Demokratike, e drejtuar faktikisht nga Sali Berisha, nuk hyri në zgjedhje për të qeverisur. Nuk pati një projekt për pushtet. Qëllimi i saj ishte i kufizuar: të ruante një bërthamë deputetësh besnikë dhe të monopolizonte mbetjet e opozitës. Në këtë, në fakt, ia doli. Por çmimi ishte dorëzimi total përballë Ramës dhe diskreditimi përfundimtar i opozitarizmit institucional.
Në zgjedhje të rregullta, kjo mund të quhej një strategji e keqe. Në një regjim që lëviz drejt autokracisë, kjo është bashkëfajësi historike.
Thënë me dy fjalë sot kemi sistem pa kundërshti reale. Në Shqipëri sot, nuk ekziston më një përplasje reale midis të kundërtave politike. Partia në pushtet sundon pa frikën e rotacionit. Opozita zyrtare është një instrument në krizë legjitimiteti. Publiku antiqeveritar është pa përfaqësim të besueshëm. Dhe partitë e reja, ndonëse morën mbi 170 mijë vota, janë të copëzuara dhe pa kapacitet për ndikim parlamentar.
Një sistem politik pa rivalitet real është si një lojtari i vetëm në një fushë bosh – mund të shënojë sa të dojë, por nuk është më garë. Është spektakël bosh.
A ka zgjidhje? Nëse po, cila? Teorikisht janë dy. Të rrish në vend ose të shohësh para.
Por a duhet publiku antiqeveritar të mblidhet rreth PD për të ruajtur njëfarë simbolike të rezistencës?
Jo. Ky do ishte autogoli përfundimtar.
Përvojat ndërkombëtare e tregojnë qartë: kur një opozitë identifikohet me një figurë të kontestuar dhe pa të ardhme, ajo vetëm humbet në çdo palë zgjedhje. Rastet e Polonisë, Hungarisë, Serbisë, madje edhe Rusisë e dëshmojnë: opozitat që nuk e kuptojnë kur koha e tyre ka kaluar, bëhen bashkëfajtore të regjimeve që duan të rrëzojnë.
Nuk ka asnjë arsye logjike që një shoqëri demokratike të vazhdojë të investojë emocione, besim dhe energji politike në një figurë që nuk përfaqëson as të ardhmen, as ndryshimin, as vlerat që duhen për ta ndërtuar një alternativë. Ndaj është e kotë të kërkohet dorëheqja apo ikja e Berishës. Prandaj shpirtin në paqe gjithësecili.
Çfarë duhet bërë pra? Sa kohë që nuk ka sens të kërkosh dorëheqjen e Berishës? Mesa duket, duhet parë përpara, larg tij! Një kulm i ri antiqeveritar.
Pesë hapa për një kulm të ri opozitar
1. Refuzimi moral dhe politik i opozitës së vjetër. Publiku antiqeveritar nuk duhet të kërkojë më bashkimin me PD-në e Berishës, por shkëputjen prej saj. Kjo nuk është çështje emocionesh, por e domosdoshmërisë strategjike: asnjë alternativë nuk ndërtohet mbi strukturat që kanë dështuar në mënyrë të përsëritur.
2. Koagulimi i partive të reja në një organizëm të vetëm federativ. Ndarja në emra, marka dhe ego të vogla, nëse vazhdon, është vetëvrasje. Ato 170 mijë vota që u shpërndanë mes 5–6 subjektesh duhet të përkthehen në një front të vetëm politik, me identitet të qartë dhe me përfaqësim publik të ri. Të ruajnë identitetin, të bashkojnë forcat! Për ta rrethuar sistemin bashkë me shqiptarët!
3. Mobilizim jashtë parlamentit – por jo jashtë sistemit. Në një kontekst kur Kuvendi është shndërruar në stacion formal të pushtetit, opozita e vërtetë duhet të mbijetojë në terren, në shoqëri, në media, në bashkësi. Siç ndodhi në Mal të Zi, në Sllovaki, apo Çeki, lëvizjet qytetare të organizuara mirë dhe të artikuluara politikisht kanë qenë baza për kthesat demokratike.
4. Mbështetje për drejtësinë si boshti i vetëm institucional i pa kapur. SPAK dhe sistemi i ri i drejtësisë janë të vetmit instrumente që sot rrezikojnë pushtetin e Ramës. Në vend të përdoren për shfajësime personale, ato duhen mbrojtur si kauzë kombëtare – pa ndërhyrje, pa kapje, pa retorikë boshe.
5. Krijimi i një vizioni të ri: as Berishë, as Rama. Opozita e re duhet të artikulojë një kornizë të tretë politike, që nuk ka lidhje as me retorikën e vjetër antikomuniste, as me “rilindjen” e konsumuar. Duhet të flasë për shtet, ekonomi të hapur, meritokraci, mbrojtje të të drejtave, edukim dhe mirëqenie – në një gjuhë që i kupton qytetarët dhe që nuk i ofendon më me lodra ideologjike të viteve ‘90.
Nëse nuk ndodh as e para e as e dyta, atëherë rreziku më i madh është normalizimi i kësaj situate.
Shqiptarët janë të lodhur. Por rreziku i madh nuk është lodhja – është nënshtrimi dhe pajtimi me idenë se nuk ka më shpresë. Ndaj, pyetja e vërtetë sot nuk është më “a duhet të dorëhiqet Berisha?”, por “a kemi ende guxim si shoqëri të kërkojmë një rrugë tjetër?”
Nëse përgjigjja është po, atëherë është koha për të thyer kafazin dhe për të ndërtuar një opozitë që nuk ka nevojë për heronj të së kaluarës – por për një projekt që e fiton të ardhmen me ide, jo me kult individi. Plaku lihet në “shejtnin e tij”.
Nëse përgjigjja është jo, atëherë ky vend nuk ka më nevojë për zgjedhje – ka nevojë për kurim. Dhe ai nuk vjen as me vota, as me rotacione. Vjen me tronditje sociale. Por ato, historia e tregon, asnjëherë nuk vijnë pa dhimbje.






Comments