Vota e Diasporës – Leksioni që (nuk) erdhi
- Habemus

- May 21
- 5 min read
Updated: May 22
Le ta themi që në fillim, pa ekuivoke e pa kalkulime: çdo shqiptar, kudo që ndodhet, ka të drejtë të padiskutueshme të votojë. Madje, është e vetmja urë që e lidh shpirtërisht me Atdheun në një kohë kur kufijtë po bëhen gjithnjë më të gjerë, ndërsa ndjesia e përkatësisë më e brishtë. Kjo nuk është një apologji e të drejtës për të votuar. Është një përpjekje për të kuptuar – pa emocione, pa mitizime dhe pa retorikë – se çfarë ndodhi realisht me të ashtuquajturën “pasaportë europiane të votës”, eksperimentin më të madh demokratik të zgjedhjeve të fundit: votën e diasporës.
Kur kjo e drejtë u njoh, shpresa u ngjit lart, aq lart sa u kthye në një shpresë mesianike. Shpresa ishte e madhe, thuajse mesianike. U besua se shqiptarët e diasporës do sillnin përmes votës së tyre pak nga emancipimi i fituar me mund, pak nga demokracia e jetuar, pak nga reflektimi i dhimbshëm i ikjes. Shqiptarët që jetojnë në Perëndim pritej të sillnin pak nga Perëndimi: një votë e lirë, pa frikë, pa shantazh, pa trysni. Një zgjedhje të kthjellët, një leksion emancipimi politik. Një goditje ndaj kastës së vjetër politike që i detyroi të largoheshin. Një hakmarrje qytetare, pse jo. Një votë si akt purifikues, si antidot ndaj stërkëmbëshave të demokracisë së brendshme. Edhe një akt dashurie për vendin që lanë pas.
Por çfarë ndodhi?
2 milion shqiptarë në diasporë - 200 mijë votuan - asnjë deputet i zgjedhur nga diaspora!
Përgjigjje e thjeshtë, e ftohtë, e dhimbshme: nuk ndodhi asgjë pra. Ajo që prodhoi vota e tyre, ishte… thjesht edhe një mandat më shumë për Partinë Socialiste. Dy në tre vota shkuan për të njëjtën forcë politike që mban pushtetin për më shumë se një dekadë. Një rezultat që jo vetëm nuk ndryshoi asgjë, por thelloi status quo-në e dëshpërimit.
Shumëkush këtu ndjeu një lloj shuarjeje të shpresës. Një trishtim që s’kishte lidhje me preferencat politike të votuesve në diasporë, por me humbjen e një shprese: ajo që pritej si “zëri ndryshe” u kthye në jehonën e të njëjtës këngë. Si është e mundur?
Pyetja nuk është as ofendim, as gjykim, por një përpjekje për të kuptuar. A mos vallë diaspora votoi thjesht për nostalgji? A ndoshta u josh nga fasadat – ato të betonit dhe ato mediatike? Nga pasuria që në Shqipëri ekspozohet si triumf i dhunshëm mbi varfërinë? Nga makinat e shtrenjta që qarkullojnë në një vend ku shumica mezi nxjerr muajin? Nga beach-baret e “t’lagi me shampanj” e muzikë të lartë, në një realitet ku spitalet nuk kanë ilaçe për kancerin dhe pensionistët nuk blejnë dot bukën e përditshme?
Sepse Shqipëria e vërtetë, ajo që ata e lanë pas, është ende këtu: me spitale të zbrazura, universitete pa studentë, pensionistë që nuk përballojnë dot bukën dhe ilaçin, dhe fëmijë që edhe humbin jetën para shkollës. Me vrasje që tronditin vendin(jo më larg se dhe), me mafie e drogë që mbërrijnë deri te Maduro i Venezuelës (po dje), dhe me para të pista që pastrohen si në parajsë (si lajmi sot i SPAK-ut).
Pritej që vota e diasporës të ishte një kthim simbolik. Një “Shqipëri si Europa” përmes kutisë së votimit. Një akt që do të na linte me gojëhapur, si më 1990, kur lamë Shqipërinë për Europën. Tani ishte radha që Europa shqiptare të kthehej në Shqipëri – përmes atyre që e kanë ndërtuar jetën e tyre jashtë.
Por nuk ndodhi. Dhe zhgënjimi nuk është thjesht për rezultatin, por për mungesën e një qëndrimi, të një zëri, të një shenje se shpresa mund të vijë edhe nga jashtë.
Megjithatë, nuk duhet të biem në dëshpërim. Sepse fajin nuk e ka diaspora. Ky votim nuk duhet të jetë një fund zhgënjyes, por një nisje reflektimi. Sepse problemi nuk është diaspora. Problemi është mënyra si ne i trajtuam ata. I thirrëm të votojnë për një realitet që nuk është më i tyre. Për emra që nuk njohin. Për struktura që nuk i prekin. Për politika që nuk i përfshijnë. Votimi nuk është një detyrë mekanike. Është një akt i thellë përkatësie. Dhe ne nuk bëmë asgjë që kjo përkatësi të ushqehej.
Fajin e ka sistemi. Fajin e ka mënyra si i trajtuam votuesit jashtë: si spektatorë të largët të një shfaqjeje që nuk iu përket. Si postierë të një vendimi për një realitet që nuk e jetojnë. Ata nuk votuan për veten. Nuk votuan për jetën e tyre. Nuk u përfshinë realisht. Vetëm u ftuan të shprehin një mendim për diçka që është gjithnjë e më larg – jo vetëm në kilometra, por edhe në përkatësi.
Kjo duhet të ndryshojë.
Nëse duam që diaspora të jetë pjesë e vendit, atëherë duhet t’i japim edhe rolin që i takon. Jo thjesht si votues pasivë, por si aktorë të vërtetë politikë. Diaspora nuk duhet të jetë thjesht një rezervuar votash që e mbushim sa herë kemi nevojë për legjitimitet. Duhet të jetë pjesë e politikës shqiptare – jo në sensin folklorik të fjalës, me flamuj e sharje online, por në mënyrë institucionale. Pse të mos kemi përfaqësues të zgjedhur nga diaspora, për diasporën? Pse një sistem zgjedhor që i përfshin ata si zgjedhës dhe të zgjedhur është ende tabu? Kur janë mbi 2 milionë shqiptarë jashtë vendit – gjysma e kombit – pse të mos kenë një përfaqësim të drejtë në Parlamentin shqiptar? Në zgjedhjet e 11 majit, nga 200 mijë vota të diasporës, asnjë deputet nuk ishte përfaqësues i tyre. Kjo nuk është thjesht padrejtësi. Është poshtërim.
Ka vende – nga Franca në Itali, nga Portugalia në Kroaci – që e kanë zgjidhur këtë. Me zona zgjedhore të posaçme për diasporën, me mandate të dedikuara. Me përfaqësim që nuk përzihet me “Shqipërinë zyrtare”, por që garanton që edhe shqiptari në Frankfurt, në Toronto apo në Milano, të ketë deputetin e vet. Dhe jo një “emër i importuar” nga Tirana, që ka vizituar aeroportin vetëm në sezon fushate. Le ta vendosin ata vetë sa dhe kë duan të përfaqësojnë. Jo për të shpërblyer nostalgjinë, por për të rikthyer lidhjen. Jo për të shpëtuar nga kritikat, por për të ndërtuar një demokraci të vërtetë. Një Shqipëri ku diaspora të shihet si një forcë politike dhe qytetare më vete – që jo vetëm voton, por edhe përfaqësohet, që jo vetëm ndjek, por edhe ndërton, që jo vetëm kujton, por edhe kthehet. Modele ka plot në botë. Ajo që mungon është vullneti ynë për ta pranuar të vërtetën: nëse nuk i japim diasporës një vend real në tryezë, do ta humbim përgjithmonë.
Le ta pranojmë: jemi në rrezik ta humbasim gjysmën tonë më energjike dhe më të aftë. Ata janë më shumë se 2 milionë. Janë gjysma e shqiptarëve. Dhe e vërteta e ftohtë është kjo: nëse nuk gjejmë një zgjidhje që i bën pjesë reale të sistemit, jo vetëm si votues por si vendimmarrës, atëherë rrezikojmë që një ditë fëmijët e tyre – që sot veçse belbëzojnë shqip – nesër nuk do duan të kenë asnjë lidhje me këtë vend.
Nuk do të jetë vetëm humbje njerëzore. Do të jetë humbje kombëtare.
Ndaj le ta nisim tani: me një reformë të vërtetë zgjedhore që e njeh diasporën jo thjesht si mit, por si realitet. Me përfaqësim proporcional, me zona zgjedhore jashtë vendit, me lista kandidatësh të propozuar nga vetë komunitetet jashtë. Me të drejtë ligjore për të pasur zërin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Jo si favor, por si detyrim kushtetues dhe interes kombëtar.
Vetëm kështu Europa e shqiptarëve do të vijë në Shqipëri. Vetëm kështu “Mundësia që bashkë Shqipëria të bëhet madhështore në 2030” nuk do të jetë më thjesht një slogan, por një premtim që ka fytyrën, mendimin dhe votën e çdo shqiptari – edhe atyre që sot janë larg, por nuk kanë reshtur së ndjeri shqiptarë.
Sepse Shqipëria është ende vendi ku duhet të kthehen – si guri në vend të vet. Dhe ky vend ka detyrimin të mos ua mbyllë derën me indiferencë. As me hipokrizi. Por me respekt, përfshirje dhe përfaqësim të denjë. Kjo është çështje e drejtësisë politike. Por mbi të gjitha, çështje e dinjitetit kombëtar.






Comments